Agjensia e punësimit me emrin domethënës “La Speranza” është bërë shpresë për dhjetra të rinj e të reja që kanë mbaruar shkollën e lartë të infermierisë që të punësohen në strukturat spitalore të Italisë.

Nuk është rastësi që njerëz që kanë mbaruar arsimin e lartë në degë të ndryshme në jetën e përditshme kryejnë punë të rëndomta jashtë specialiteteve për të cilat kanë studiuar dhe janë përgatitur për vite me radhë. Tregu i çorientuar i punës pa strategji të mirëfillta(që dhe kur hartohen mbesin vetëm në letër) ka nxjerrë shpresat e shumë të rinjve e të rejave për të realizuar ëndrrat e tyre.

Në përzgjedhjet e sforcuara dhe të detyruara për të punuar kamarier apo për të emigruar qoftë dhe në mënyrë të paligjshme, ka fituar më së shumti alternativa e dytë duke ushqyer kësisoj fitimin për trafikantët dhe rritur eksodin klandestin. Ky ka qënë fati dhe për shumë infermierë profesionalë e të përgatitur me 6 shkolla të larta të këtij specialiteti.

5 vjet më parë, pikërisht në vitin 1999 është ndezur një dritë jeshile për specialistët e kësaj fushe. Një agjensi punësimi me një emër domethënës “La Speranza” u bë shpresa e vetme për dhjetra të rinj e të reja që të punësoheshin në strukturat spitalore të Italisë. “Një fillim i vështirë por tashmë një realitet domethënës” – e vlerëson presidenti Arben Ismalaj atë çka është arritur në harkun kohor të 5 viteve. Por mirëfilli faktet, përvoja dhe biografia e punës së specialistëve shqiptarë të mjekësisë në spitalet italiane flasin shumë. Pak ditë më parë takova rastësisht njërin nga përfaqësuesit e grupit të parë të infermierëve profesional. Albert Nikolli, i punësuar në Bolzano, ishte kthyer për pushime dhe pa e fshehur kënaqësinë tregon që me fitimet e ligjshme ka arritur të blejë shtëpi në Tiranë dhe veturë të re. Në kujtesën timë më erdhi Alberti i intervistuar pak vite më parë në ceremoninë e përcjelljes për në Itali. Druajtja i kishte lënë vendin shpresës dhe optimizmit.

Alberti tregon se në spitalin ku punon janë të punësuar në të njëjtin profesion dhe spanjollë, rumun, peruan, kolumbian etj, por ai ndihet i vlerësuar, i respektuar dhe i shpërblyer mjaft mirë. Pa e fshehur modestinë thotë se drejton një nga repartet më të rëndësishme pasi ka kaluar me sukses të gjitha testimet profesionale. Gjithcka ja dedikon shkollës së lartë të infermierisë së Tiranës, diploma e së cilës njihet dhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe La Speranza-ës- thotë i riu nga Mirdita.

Ky shkrim nuk vjen kurrsesi si një reklamë për këtë agjensi punësimi pasi më gjithë përkushtimin e saj nuk arrin të kënaqë as 10% të kërkesave të specialistëve për tu punësuar legalisht në Itali. Janë 100 arsye të këtij fluksi për të emigruar por kur mëson se në Gadishullin e Apenineve shpërblehen për një ditë punë sa për një muaj të tërë në vendin e tyre, nuk kanë rëndësi 99 arsyet e tjera.

Tek shkruaja këto radhë mu kujtua sërish një shkrim i Kiço Blushit në të përditshmën “Koha Jonë” që denoncon mjerimin shpirtëror dhe rrënimin e përditshëm të shërbimit spitalor publik. Vërtet paga e tyre si shumë specialitete të tjera është minimale, por kultura dhe mirësjellja nuk kushtojnë. Ndoshta njerëzit e bluzeve të bardha që bëjnë betimin e Hipokratit kanë harruar një fjalë të urtë popullore “Fjala shëron!”. Pra specialistët shqiptarë që kanë fatin të punojnë dhe të specializohen në spitalet italiane para së gjithash kanë fituar dhe kulturën e nevojshme.

Infermierët e punësuar në Itali, njëkohësisht i kontribuojnë përmirësimit të imazhit të bashkëatdhetarëve tanë, që shpesh herë janë protagonist të akteve të dhunshme dhe veprimtarive ilegale.  

Andrea Pane, 28 vjeçari nga Korça sapo ka firmosur një kontratë pune me spitalin “Carlo Poma” të Montovës. Pas mbarimit të shkollës së larët të infermierisë kishte emigruar në Greqi e megjithëse flet 4 gjuhë të huaja atje punonte kamarier. “Pasi aplikova tek La Speranza” – thotë Andrea, “mu realizua ëndrra për të punuar në profesionin tim”. Ai në përbërje të një grupi prej 13 vetësh kanë kryer të gjithë praktikat e parashikuara për tu punësuar në Itali. Janë përzgjedhur mes dhjetra e dhjetra kërkesave, tregon president i La Speranza, Ismalaj, i cili se fsheh dot shqetësimin që nuk mund ti plotësojë kërkesat e shumta pasi në tregun e punës në Itali konkurojnë shtete të tjera si: Rumania, Polonia, Spanja, etj. Ai duhet të përballet jo vetëm me konkurencën e tregut Italian të punës, por edhe me burokracitë e rëndomta që hasen për kryerjen e proçedurave, që lidhen me një mentalitet të çuditshëm të drejtuesve të institucioneve shtetërore. Ndoshta përballë trafikut klandestin ky shembull vjen jo vetëm si habi por edhe si sfidë njëkohësisht. Megjithatë ai do të nënvizojë bashkëpunimin e frytshëm me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Ambasadën Italiane në Tiranë si dhe Konsullatat e Shkodrës dhe Vlorës. Arben Ismalaj thotë se më shpejt i është përgjigjur korresponcës Konsulli Italian në Shkodër, Roberto Orlando, se sa disa institucione që janë vetëm disa metra larg zyrës së La Spenaza në Tiranë. Natyrisht është e lehtë për tu kuptuar se pse kjo veprimtari e ligjshme kënaq të dy palët, si të interesuarit për tu punësuar jashtë dhe kërkesat e strukturave sanitare italiane. Edhe specialistët e parë që janë punësuar atje gjatë këtyre 4-5 viteve me seriozitetin dhe profesionalizmin e treguar kanë dhënë ndihmesën e tyre që breza të tjerë specialistësh të vazhdojnë të punësohen në Itali.  Ndihet i vlerësuar presidenti i La Speranza pasi ka bërë miq dhjetra e dhjetra familje shqiptarë, por disi me humor ai thotë se ka bërë dhe armiq, ai mbetet një konkurent i vogël i trafikantëve ilegalë. Tani rruga drejt Europës është ajo që kalon nëpër ura legale një gur në themelet e të cilave kanë vendosur La Speranza.

Shkruar nga: Tom Therçaj